El-Fettah [Ai që u jep zgjidhje të gjitha halleve].

El-Fettah [Ai që u jep zgjidhje të gjitha halleve].
Një nga emrat e Zotit është : El-Fettah [Ai që u jep zgjidhje të gjitha halleve]
Ai largon brengat, zgjidh hallet, lehtëson vështirësitë…
Nëse të mbyllen të gjitha dyert, shko dhe kërkoji El-Fettahut të ndihmojë. Nëse të gjithë njerëzit të thonë se nuk ka më shpresë, nëse të errësohet bota përreth, nëse halli që të ka rënë shtohet çdo çast, nëse lotët të rrjedhin pa pushim prej hallit që të ka rënë, nëse shpresat janë këputur…
Shko tek El-Fettahu. Nëse diçka e tillë ngulitet thellë në zemrën tënde, nëse e njeh Zotin me këtë emër, të siguroj se je njeriu më i fuqishëm dhe më i qetë në botë. Zoti është El-Fettah kur hallet, vështirësitë dhe telashet ta kanë zënë frymën. Ai është El-Fettah që në fillim të çdo nisme të ndihmon dhe të përkrah.
Ai është El-Fettah kur të tjerët sillen padrejtësisht ndaj teje.
E gjithë jeta jonë është e lidhur me emrin El-Fettah. A nuk e meriton që ta duam El-Fettahun tonë? Një i ditur thotë:
“Mos u largo nga dera e Zotit, edhe sikur të përzënë. Mos e ndërpre kërkimin e faljes, edhe sikur të mos ta pranojë. Nëse e hap derën për njerëzit e mirë, hyr edhe ti si i paftuar. Shtrija dorën dhe thuaji: ”Jam një nevojtar që kërkon mëshirën Tënde.”
El-Fettahu nuk të ndihmon dhe nuk t’i zgjidh hallet që ke vetëm në këtë botë, por edhe në botën tjetër… Trokit në derën e Tij, përulu para Tij me përkushtim, lëre syrin të lotojë dhe i thuaj: ” O El-Fettah, tek Ti kam ardhur.”

Comments