Vdekja e profetit Muhamed -alejhi selam!!

Dr. Abdullah Nabolli

Shenja e tretë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.

Vdekja e profetit Muhamed -alejhi selam-.

Thamë më lart se dërgimi i profetit të fundit, Muhamedit -alejhi selam- është shenjë e afrimit të orës së fundit të dynjasë,  atëherë edhe largimi i tij nga kjo botë është akoma më tepër shenjë e afrimit të kësaj ore.

Muhamedi -alejhi selam- garanci nga dënimi për mbarë botën.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

وَمَا كَانَ اللَّهُ لِيُعَذِّبَهُمْ وَأَنْتَ فِيهِمْ وَمَا كَانَ اللَّهُ مُعَذِّبَهُمْ وَهُمْ يَسْتَغْفِرُونَ

“Allahu nuk ka për t’i dënuar ata kur ti të jesh në mesin e tyre dhe Allahu nuk ka për t’i dënuar ata kur janë duke i kërkuar falje atij”[1].

Ibn Abasi -radiallahu anhu- në lidhje me ajetin, thotë: “Ata (sahabët) kishin dy garanci: profetin e Allahut dhe istigfarin (të kërkuarit falje Allahut). Iku profeti -alejhi selam- dhe mbeti istigfari”[2].

Këto dy garanci, profeti -alejhi selam- i ka përdorur kur ndodhi një herë eklipsi i diellit në kohën e tij dhe u frikësua se mos ishte ora e fundit e dynjasë siç tregon Ebu Musa El-Esharij -radiallahu anhu-: “Kur ndodhi eklipsi i diellit, profeti -alejhi selam- u ngrit i shtangur nga frika se mos ishte ora e fundit e dynjasë dhe shkoi për në xhami dhe fali një namaz me: më të gjatin qëndrim, më të gjatën ruku dhe më të gjatën sexhde që kam parë ndonjëherë prej tij”[3].

Ai gjatë këtij namazi, në sexhde është lutur me këto fjalë:

“O zot, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i dënosh ata, kur unë jam në mesin e tyre?! O zot, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i dënosh ata, kur janë duke kërkuar falje?!”[4]

Pra, profeti Muhamed -alejhi selam- ishte garanci për mos-dënimin e umetit të tij përderisa ai të jetë në mesin e tyre, atëherë prezenca e tij në këtë botë ishte gjithashtu garanci për mbarë botën ndaj orës së fundit të dynjasë, sepse ora e fundit e dynjasë është katastrofë e përgjithshme e cila prekë çdokënd prej njerëzve.

Kjo garanci është shprehur edhe në një hadith tjetër siç tregon Ebu Musa El-Es’hari -radiallahu anhu- dhe thot: “E falëm me profetin -alejhi selam- namazin e Akshamit dhe pastaj thamë: sikur të uleshim derisa të falim me të namazin e jacisë! Ne u ulëm dhe vjen profeti -alejhi selam- dhe na thotë: Nuk keni lëvizur nga vendi? I thamë: o i dërguari i Allahut, ne falëm me ty akshamin dhe thamë: të ulemi derisa të falim me të jacinë. Ai na tha: Ju lumtë ose mirë keni bërë! Pastaj ngriti kokën nga qielli -dhe ai shpesh e ngrinte kokën nga qielli- dhe tha: Yjet janë garanci për qiellin dhe kur të ikin yjet, i vjen qiellit afati i tij i premtuar. Unë jam garanci për shokët e mi dhe kur të iki unë, u vjen shokëve të mi afati i premtuar. Shokët e mi janë garanci për umetin tim dhe kur të ikin shokët e mi, i vjen umetit tim afati i premtuar”[5].

Vdekja e profetit Muhamed -alejhi selam-.

Profeti Muhamed -alejhi selam- jetoi në këtë botë 63 vite. 40 vitet e para prej tyre i ka jetuar para profetësisë dhe 23 vitet e fundit i ka jetuar në profetësi, vite të cilat ndahen në dy periudha: periudha e Mekës me 13 vjet dhe periudha e hixhretit (e emigrimit) në Medine me 10 vjet siç tregon Ibn Abasi -radiallahu anhu-: “Është dërguar profeti -alejhi selam- në moshën dyzet vjeçare. Ka qëndruar në Meke, trembëdhjetë vjet, pastaj është urdhëruar për hixhret (emigrim) për në Medine dhe ka qëndruar atje dhjetë vjet dhe ka vdekur në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçare”[6].

Allahu i Madhëruar i kishte bërë profetit Muhamed -alejhi selam- një shenjë të cilën kur ta shihte të përgatitej për boten tjetër me madhërim dhe istigfar. Kjo shenjë është përmendur në suren En-Nasr, ku Allahu i madhëruar thotë:

إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْحُ * وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا * فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا

“Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi * dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe * atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje prej Tij; se Ai vërtet është Pranues i madh i pendimeve”[7].

Komentuesit e Kuranit thonë: Shenja e përmendur në këto ajete është: çlirimi i Mekës dhe ardhja e fiseve arabe grupe-grupe për të hyrë në islam.

Kjo sure mendohet t’i ketë zbritur profetit -alejhi selam- pas marrëveshjes së Hudejbijes, sepse profeti -alejhi selam- pas kësaj ngjarjeje është përgëzuar me çlirimin e Mekës.

Kjo shenjë do të realizohej dy vjet më vonë nga zbritja e ajeteve, në vitin e tetë të hixhretit, vit në të cilin ndodhi çlirimi i Mekës.Pastaj ajo do të vazhdonte të plotësohej me fillimin e pranimit të islamit nga fiset arabe për të arritur kulmin e saj në vitin e nëntë të hixhretit, vit i cili njihet si viti i delegacioneve të fiseve që vinin dhe deklaronin islamin.

Amr bin Seleme El-Xhermij -radiallahu anhu- tregon: “Njerëzit prisnin çlirimin e Mekës për të deklaruar islamin e tyre dhe thonin: lëreni atë me popullin e tij! Nëse do të fitojë mbi ta, atëherë ai është profeti i vërtetë. Kështu kur ajo u çlirua, çdo  fis shpejtoi për të deklaruar islamin e tij. Vinte burri dhe thoshte: O i dërguari i Allahut, unë jam përfaqësuesi i filan fisi, erdha te ti për të të përcjellë lajmin e islamit të tyre”[8].

Pastaj në vitin e dhjetë të hixhretit, profeti -alejhi selam- urdhërohet për haxh, e vetmja shtyllë që i kishte mbetur pa e kryer nga islami dhe gjatë këtij haxhi lajmërohet edhe për një shenjë tjetër të afrimit të exhelit të tij dhe që është plotësimi i fesë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova mirësinë time ndaj jush dhe zgjodha që islami të jetë feja juaj”[9].

Ky ajet i ka zbritur profetit -alejhi selam-, siç tregon Omeri -radiallahu anhu- gjatë haxhit të tij ditën e Arafatit i cili ka qenë në vitin e dhjetë të hixhretit. Një ditë më pas dhe konkretisht ditën e Kurbanit të atij haxhi, profeti -alejhi selam- i njofton njerëzit se ndoshta nuk do të bëjë haxh tjetër veç tij, siç tregon Xhabiri -radiallahu anhu-: “E kam parë profetin -alejhi selam- ditën e Kurbanit mbi deve duke gjuajtur gurët dhe duke thënë: Merrni prej meje rregullat e haxhit, sepse unë nuk e di nëse do të bëj haxh tjetër pas tij”[10].

Që pas këtyre momenteve profeti -alejhi selam- fillon të shtojë më tepër përpjekjen për t’u përgatitur për botën tjetër, siç thotë Aishja -radiallahu anha-:

“Profeti -alejhi selam- para se të vdiste i thoshte shpesh fjalët: Subhanake ue bihamdik, estegfiruke ue etubu ilejke (I lartësuar qosh, o Zot në lavdinë tënde! Prej teje kërkoj falje dhe te ti pendohem). E pyeta: ç’janë këto fjalë që i ke shtuar dhe i thua?Ai më tha: Më është caktuar një shenjë në umetin tim të cilën kur ta shoh, t’i them ato (dhe lexoi suren): Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi…”[11].

Tre muaj pas ajeteve të plotësimit të fesë vdes profeti -alejhi selam- dhe sipas lajmeve të përcjella, ajo ka ndodhur ditën e hënë më, 12 Rabiul-Euel[12] dhe duke qenë se historia e profetit -alejhi selam- pas emigrimit të tij llogaritet sipas hixhretit dhe muaji i parë është Muharremi, atëherë ai ka vdekur më 12 Rabiul-Euel të vitit 11 të hixhretit[13], muaj ky në të cilin ai plotësoi 10 vjet të plota nga hixhreti i tij.

Shejhul-Islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se profeti -alejhi selam- ka vdekur në muajin Rabiul-Euel, muaj i cili është muaji i lindjes së tij dhe muaji i emigrimit të tij dhe se ai ka vdekur ditën e hënë, ditë në të cilën edhe ka lindur, edhe i ka zbritur shpallja”[14].

Vdekja e profetit Muhamed -alejhi selam- dhe ora e fundit e dynjasë.

Auf bin Malik -radiallahu anhu- tregon: “Shkova te profeti -alejhi selam- në kohën e betejës së Tebukut dhe ai ishte nën një çadër prej lëkure dhe më tha: Numëro gjashtë shenja para orës së fundit: vdekja ime….”. Auf bin Malik thotë: “Unë u preva fare dhe qava derisa profeti -alejhi selam- u detyrua të më qetësonte”[15].

Vdekja e profetit -alejhi selam- në lidhje me orën e fundit të dynjasë ka dy domethënie:

E para: Pakësimi i mirësisë, sepse profeti -alejhi selam- ishte edhe burimi i dijes së saktë edhe modeli më i mirë i zbatimit të saj në jetën e përditshme. Këtë gjë e ka kuptuar mjaft mirë një prej sahabëve të nderuar dhe prijës i këtij umeti pas profetit -alejhi selam- Omeri -radiallahu anhu- kur ka dëgjuar zbritjen e ajeteve të plotësimit të fesë dhe thuhet se ka thënë: “Feja ishte duke u përsosur dhe tani që u përsos do të pakësohet, sepse çdo gjë që përsoset më vonë pakësohet”[16].

E dyta: Zëvendësimi i së mirës me të keqen në varësi të pakësimit të së mirës siç këshillonte Enes bin Maliku -radiallahu anhu- njerëzit në kohën e tij në lidhje me sprovat dhe u thoshte: “Bëni durim se nuk ka për të ardhur ndonjë kohë veçse ajo pas saj është më e keqe se ajo para saj, derisa ta takoni zotin tuaj”[17].

Prandaj profeti -alejhi selam- e ka quajtur vdekjen e tij si fatkeqësinë më e madhe të këtij umeti siç ka ardhur në hadith: “Kur t’i ndodhë ndonjërit prej jush ndonjë fatkeqësi le ta kujtojë fatkeqësinë e tij në lidhje me mua, sepse ajo fatkeqësi është fatkeqësia më e madhe”[18].

Imam Kurtubiu në tefsirin e tij thotë: “Të vërteten ka thënë profeti -alejhi selam- sepse fatkeqësia e humbjes së tij është më e madhe se çdo fatkeqësi tjetër që mund ta prekë myslimanin pas tij. U ndërpre shpallja, vdiq profetësia dhe ishte fillimi i shfaqjes së të keqes… ishte gjithashtu ndërprerja e së mirës dhe fillimi i pakësimit të saj”[19].

Koha para orës së fundit të dynjasë është cilësuar si koha e ndryshimeve dhe çrregullimeve të mëdha në fenë dhe jetën e njerëzve, ndryshime dhe çrregullime të cilat nuk mund të fillonin nëse mirësia dhe garancia siç u tha më lart do të ishte mes tyre. Kështu ndryshimi i parë që bota të marrë udhën nga ora e fundit të saj ishte largimi i profetit të fundit Muhamedit -alejhi selam-.

[1] Surtu El-Enfal: 33.

[2] E transmeton Ibn Ebij Hatim me zinxhir të saktë.

[3] E transmeton Buhariu.

[4] E transmeton: Ebu Daudi dhe e saktëson sheikh Albani.

[5] E transmeton Muslimi.

[6] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[7] Suretu En-Nasr: 1-3.

[8] E transmeton Buhariu, Ahmedi, Nesaiu etj.

[9] Suratu El-Maide: 3.

[10] E transmeton Muslimi.

[11] E transmeton Muslimi.

[12] Shih librin “El-Fusul min Sirat Er-Resul” të Ibn Kethirit: 220.

[13] Data 12 Rabiul-Euel 11 sipas Hixhretit përkon me vitin 632 sipas kalendarit kristian.

[14] Shih librin e autorit me titull “Hukuk Ali El-Bejt”: 50.

[15] E transmeton Buhariu, Ahmedi, Ibn Maxhe etj.

[16] E transmeton imam Taberiu me zinxhir të dobët, por mendohet se ajo të ka bazë të saktë, sepse është transmetuar edhe një thënie tjetër e tij e përafërt me të në musnedin e imam Ahmedit si dhe fjala profetike: “Islami ka filluar si huaj dhe do të kthehet si i huaj siç ka filluar” e transmeton Muslimi.

[17] E transmeton Buhariu.

[18] E transmeton Darimiu e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.

[19] Shih tefsir Et-Kurtubij: 2/176.

Comments